Dogana e Kosovës ka sekuestruar 200 kilogramë mish dyneri të transportuar ilegalisht në kushte të papërshtatshme, duke vlerësuar se rreziku potencialisht mund të prekte mijëra qytetarë.

Dogana e Republikës së Kosovës njoftoi se mbrëmë, rreth orës 18:20, në pikëkalimin kufitar të Glloboçicës, në hyrje të vendit, zyrtarët doganorë ndaluan për kontroll një automjet udhëtarësh.

Pavardësisht deklaratës së drejtuesit të mjetit se nuk posedonte mall për të deklaruar, pas një kontrolli të hollësishëm, u zbuluan 10 rrotulla mishi dyneri, secila me peshë 20 kilogramë, duke arritur në një sasi totale prej rreth 200 kg dhe me një vlerë të përafërt prej 800 eurosh.

Dogana theksoi se përveç tentativës për shmangien e detyrimeve dhe taksave doganore, ky rast përbën një shqetësim të lartë për sigurinë ushqimore. Mishi transportohej në një automjet të zakonshëm udhëtarësh, pa asnjë kusht higjienik dhe pa temperaturë adekuate (pa frigorifer), me qëllim shmangien e kontrollit sanitar të domosdoshëm nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Hyrja e produkteve të tilla, jashtë çdo standardi transporti dhe pa kontroll profesional, përbën një rrezik potencialisht të lartë për shëndetin publik, pasi nga kjo sasi mishi mund të prekeshin mijëra qytetarë.

Malli u sekuestrua menjëherë dhe do t’i nënshtrohet trajtimit të mëtejshëm ligjor për të siguruar neutralizimin e plotë të rrezikut, ndërsa ndaj personit përgjegjës ka nisur procedura kundërvajtëse.

Dogana e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të shmangin me çdo kusht aktivitetet biznesore joformale dhe kontrabandën. Mosnënshtrimi ndaj kontrolleve të sigurisë sjell pasoja të paparashikueshme për shëndetin publik, si dhe dënime të rënda penale dhe administrative për shkelësit e ligjit të sigurisë ushqimore.