Performanca e Alis Kallacit theu rekord shikueshmërie në Instagramin e Eurovisionit

Alis Kallaci, artisti shkodran që përfaqëson Shqipërinë në edicionin e sivjetmë të Eurovision Song Contest, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke thyer rekordin e shikueshmërisë në llogarinë zyrtare të Eurovisionit në Instagram.

Performanca e tij në gjysmëfinalen e së enjtes u bë më e shikuara ndër të gjitha paraqitjet e konkurrentëve të asaj mbrëmjeje.

Artisti shqiptar ngjalli emocione të thella teksa interpretoi këngën “Nan”, një baladë prekëse që përcjell mallin dhe dhimbjen e nënave për fëmijët e tyre në mërgim.

Deri më tani, sekuencat nga performanca e Alisit kanë arritur mbi 6.9 milionë shikime në Instagramin e Eurovisionit, duke tërhequr një vëmendje të jashtëzakonshme nga publiku ndërkombëtar.

Suksesi nuk është kufizuar vetëm në Instagram. Performanca e Shqipërisë ka shkëlqyer gjithashtu në kanalin zyrtar të Eurovisionit në YouTube, ku ka mbledhur qindra mijëra shikime dhe ka marrë reagime tejet pozitive.

Alis Kallaci do të ngjitet sërish sonte në skenën e madhe të Eurovisionit, kësaj radhe në finalen e shumëpritur, ku në fund të mbrëmjes do të shpallet edhe fituesi i edicionit të sivjetmë.