Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar një muaj paraburgim Skender Llugiqit, i dyshuar për thirrje publike për pushkatimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Vendimi i Gjykatës mbështetet në argumentin se ekziston rreziku real që Llugiqi, nëse lihet i lirë, të arratiset.

Llugiqi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Në arsyetimin e saj, Gjykata vlerësoi se masa e paraburgimit është e domosdoshme, pasi ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri mund të shmanget nga përgjegjësia penale duke u fshehur ose duke u bërë i paarritshëm për organet e drejtësisë. Një veprim i tillë do të pengonte ndjeshëm mbarëvajtjen dhe efikasitetin e procedurës penale.

Kërcënimi i Llugiqit ndaj Haradinajt u bë në sallën e Kuvendit të Kosovës, gjatë një aktiviteti të titulluar “Bashkatdhetarët në Kuvend”.