Njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës kanë gjetur mbetje eshtërore të tre individëve në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, në kuadër të hetimeve për rastin e dyshuar si krim lufte kundër popullatës civile.
Sipas njoftimit policor, mbetjet janë gjetur të premtën dhe pas ekzaminimit fillestar nga eksperti mjeko-ligjor është konstatuar se bëhet fjalë për mbetje me prejardhje njerëzore dhe me interes forenzik.
Policia ka njoftuar se dyshojnë se mbetjet mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
“Fsh. Kalludër, Zubin Potok / 19.04.1999 – NN. Me datën 14.08.2026 njësitë përkatëse policore kanë gjetur mbetjet eshtërore të tre (3) individëve, të cilat sipas ekspertit mjeko-ligjor janë me prejardhje njerëzore dhe janë me interes forenzik. Mbetjet eshtërore dyshohet që janë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë./IndeksOnline/
