Gjatë gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut janë zbuluar mbetje eshtërore të tre individëve, të cilat dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Ky zbulim është konfirmuar nga raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës. Sipas raportit, mbetjet eshtërore janë gjetur më 14 gusht dhe ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar origjinën njerëzore të tyre, duke theksuar se ato paraqesin interes forenzik për hetimet.

Zbulimi vjen pas një hetimi rreth dyvjeçar të autoriteteve kosovare, i cili fillimisht çoi në arrestimin e dy personave të dyshuar për krime lufte. Më pas, nisën gërmimet në një lokacion në Zubin Potok, ku dyshohej për ekzistencën e një varreze masive. Brenda pak ditësh, u zbuluan eshtra njerëzore, u arrestua edhe një i dyshuar tjetër për krime lufte dhe u identifikuan vendndodhje të tjera ku mund të ketë mbetje njerëzore.