Këngëtarja e njohur në Greqi, Eleni Foureira, me origjinë shqiptare, ka rrëfyer për herë të parë arsyet pse e mbajti të fshehtë prejardhjen e saj në fillimet e karrierës. Ajo pranoi se kishte frikë se zbulimi i origjinës mund t’i mbyllte dyert në industrinë muzikore greke.

Foureira theksoi se ishte rritur me bindjen se prejardhja e saj shqiptare mund t’i pengonte mundësitë e barabarta me të tjerët. “Kur rritesh, kjo frikë të futet brenda. Mendoja se nëse thosha që jam nga Shqipëria, nuk do të më jepeshin mundësi të barabarta. Ky ishte realiteti që përjetoja,” citohet ajo.

Këngëtarja kujtoi gjithashtu momentet e vështira që përjetoi familja e saj, duke treguar se nëna shpesh qante për komentet dhe paragjykimet me të cilat përballej e bija. “Nëna ime më përqafonte dhe qante duke më thënë: ‘Vajza ime, çfarë të kanë bërë? Ti nuk ke bërë asgjë’,” rrëfeu Foureira.

Ajo shtoi se mbështetja e njerëzve të afërt e ndihmoi të vazhdonte rrugën në muzikë, derisa publiku e vlerësoi për talentin dhe jo për origjinën. Gjatë intervistës, artistja ndau shkurtimisht edhe historinë e njohjes me partnerin e saj, ish-futbollistin Alberto Botía. Ajo tregoi se e kishte parë për herë të parë rreth dhjetë vjet më parë, kur ai, asokohe pjesë e skuadrës së Olympiacosit, kishte shkuar në lokalin ku ajo performonte pas një fitoreje të ekipit.