KF Shkëndija e Tetovës ka arritur pesë fitore radhazi, një sukses që klubi e ka shfrytëzuar për të bërë shaka me gjigantin anglez të Manchester United.

Me fitoren 2-0 kundër Sileksit në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija ka shënuar triumfin e tretë në këtë sezon të ri, të cilave u shtohen edhe dy fitore nga fundi i edicionit të kaluar, duke çuar në pesë numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje.

Pas kësaj serie fitoresh, klubi tetovar ka gjetur mënyrën për të ironizuar me Manchester United, duke iu drejtuar tifozit “ikonik” Frank Ilett. Ky i fundit, prej afro 700 ditësh nuk i ka prerë flokët, pasi ka premtuar se do të presë derisa skuadra e tij e zemrës, Manchester United, të arrijë pesë fitore radhazi.

“Pesë fitore radhazi… ndoshta është koha të ndryshosh ekipin,” – ishte postimi i Shkëndijës në rrjetet sociale, i drejtuar Frank Ilett, i cili njihet online me emrin “the united strand”.