Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shënuar një triumf të madh, duke fituar medaljen e artë dhe duke ia dedikuar këtë sukses të madh trajneres së saj, Marjola Sallauka. Pas fitores, ajo theksoi se kjo medalje “mban djersën, lotët dhe zemrën time”.

Në një deklaratë të saj, kampionia theksoi se pas këtij suksesi qëndrojnë sakrifica të mëdha, punë e palodhur dhe një besim i palëkundur. Sadiku veçoi rolin thelbësor të trajneres së saj gjatë gjithë rrugëtimit. “Disa fitore shihen me sy, por kjo ndihet me zemër,” shkroi ajo, duke shprehur thellësinë e ndjenjave të saj pas kësaj arritjeje.

Ajo shtoi se medalja përfaqëson jo vetëm përkushtimin e saj personal, por edhe punën e përbashkët me trajneren Sallauka. “Kjo medalje mban djersën, lotët dhe zemrën time, por pas saj qëndron edhe një luftë e madhe, një besim i palëkundur dhe një femër që ishte aty në çdo hap — trajnerja ime, Marjola Sallauka,” deklaroi Sadiku, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e saj të vazhdueshme.

Ky sukses vjen pasi Sadiku siguroi fitoren në gjysmëfinale ndaj boksieres greke Sofia Legaki. Turneun e mbylli me një paraqitje të jashtëzakonshme në finale, ku triumfoi kundër një kundërshtareje nga Serbia, duke e kurorëzuar veten me medaljen e artë.