Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka nisur sot në Prishtinë seminarin dyditor të FIFA-s për arbitrat e futbollit. Ky aktivitet shënon nisjen e përgatitjeve për edicionin e ri garues 2026/27 dhe synon përmirësimin e njohurive teknike, fizike dhe profesionale të arbitrave kosovarë.
Punimet e seminarit u hapën nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ndërsa seancat udhëhiqen nga instruktori i FIFA-s, Alan Snoddy, dhe eksperti i përgatitjes fizike, Simon Breivik.
Programi përfshin temat më aktuale të arbitrimit, ndryshimet në rregullat e lojës për edicionin 2026/27, analizën e incidenteve, përdorimin e VAR-it, integritetin e zyrtarëve të ndeshjes, përgatitjen fizike, menaxhimin e ndeshjeve dhe analizën e situatave nga kampionati vendor.
Një pjesë thelbësore e seminarit janë edhe testet fizike, të cilat zhvillohen sipas standardeve të FIFA-s, duke garantuar që arbitrat të jenë të përgatitur maksimalisht për sfidat e sezonit të ri.
Nëpërmjet organizimit të seminareve të tilla, FFK vazhdon të investojë në zhvillimin profesional të arbitrave, me synimin e rritjes së cilësisë së arbitrimit në garat vendore dhe përgatitjen e tyre për angazhime në arenën ndërkombëtare.
