RDK-ja Proteston Para Kuvendit: “Tre Shkelësit e Kushtetutës”

Rinia Demokratike e Kosovës (RDK) ka organizuar një aksion simbolik protestues para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe konstituimin e plotë të organit legjislativ.

Në hyrje të Kuvendit, anëtarët e RDK-së vendosën pankarta me fotografitë e presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari. Pankartat mbanin mbishkrimin “Shkelësit e Kushtetutës”.

Kryetarja e RDK-së, Arbnore Salihu, theksoi se përmes këtij aksioni synohet të kujtohen detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.

“Në dyert e Kuvendit kemi vendosur fotografitë e tre shkelësve të Kushtetutës, tre kryesorëve, për të theksuar tri gjëra: çfarë thotë Kushtetuta, çfarë ka thënë Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar dhe çfarë parashikon Rregullorja e Kuvendit. Nuk ka nevojë të shpiken rregulla të reja, pasi rregullat janë shumë të qarta dhe afatet të ditura,” deklaroi Salihu.

Salihu ritheksoi se Kushtetuta përcakton afatin për konstituimin e Kuvendit, ndërsa Rregullorja përcakton afatin për vazhdimin e seancës konstituive.

“Kushtetuta parashikon një afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, duke filluar nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar këtë afat vitin e kaluar, ndërsa Rregullorja e Kuvendit thekson se një ndërprerje gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë,” shpjegoi ajo.

Ajo u bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetëve përkatës që të mundësojnë pa vonesë vazhdimin e seancës konstituive.

“Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët shkelin Kushtetutën dhe bllokojnë institucionet, ua rikujtojmë se asnjë parti, asnjë deputet dhe asnjë shumicë nuk qëndron mbi Kushtetutën. Të rinjtë e Kosovës nuk mund t’i pranojnë shkelje të këtij lloji, të cilat po shndërrohen në praktikë dhe më pas po shiten si normalitet. I keni numrat, thirreni seancën, konstituojeni Kuvendin!” përfundoi Salihu.