Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka zhvilluar sot një aksion simbolik para dyerve të Kuvendit të Kosovës, duke vendosur fotografi të ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari. Ata i kanë cilësuar këta të fundit si “shkelës të Kushtetutës” dhe kanë kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të seancës konstituive.
Përmes këtij aksioni, të rinjtë e PDK-së kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa kanë akuzuar tre zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për shkelje të Kushtetutës.
Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnore Salihu, theksoi se qëllimi i këtij aksioni është rikujtimi i detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta, një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, si dhe Rregullorja e Kuvendit.
“Në dyert e Kuvendit kemi vendosur fotografitë e tre zyrtarëve që, sipas nesh, kanë shkelur Kushtetutën. Tre kryesorët,” tha ajo. “Kjo bëhet me qëllim të theksimit të tre pikave kryesore: asaj që thotë Kushtetuta, asaj që ka theksuar Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar dhe asaj që përcakton Rregullorja e Kuvendit. Nuk është e nevojshme të shpiken rregulla të reja, kur ato ekzistuese janë shumë të qarta dhe afatet janë të ditura.”
Salihu shtjelloi se Kushtetuta përcakton afatin për konstituimin e Kuvendit, ndërsa Rregullorja e Kuvendit detajon afatin për vazhdimin e seancës konstituive.
“Kushtetuta parasheh 30 ditë për konstituimin e Kuvendit nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar këtë afat vitin e kaluar, ndërsa Rregullorja thotë se një ndërprerje gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë,” u shpreh ajo.
Ajo i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetëve të saj që të bëjnë të mundur vazhdimin e seancës konstituive.
“Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që po shkelin Kushtetutën dhe po bllokojnë institucionet, ua kujtojmë se asnjë parti, asnjë deputet dhe asnjë shumicë nuk është mbi Kushtetutën. Të rinjtë e Kosovës nuk mund t’i pranojnë këto lloj shkeljesh, të cilat po bëhen praktikë dhe më pas po shiten si normalitet. Numrat i keni, thirreni seancën, konstituojeni Kuvendin,” përfundoi Salihu.
