**Kontrabandë armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, arrestohet një shtetase nga Prizreni**

Policia e Shqipërisë ka finalizuar operacionin e koduar “Hallkat”, duke goditur një rrjet të dyshuar kontrabande armësh zjarri nga Kosova drejt territorit shqiptar.

Gjatë operacionit, në Maminas u arrestuan dy persona: një 34-vjeçar nga Kukësi, i dyshuar për trafikim armësh dhe municionesh, si dhe një 39-vjeçare nga Prizreni, e cila dyshohet për moskallëzim krimi.

Sipas Policisë së Shtetit, gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin të dyshuarit, u gjetën 3 pistoleta dhe 34 fishekë. Dyshohet se këto armë ishin kontrabanduar nga Kosova me qëllim shitjen te grupe kriminale në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e 34-vjeçarit, u gjet edhe një armë e ftohtë, përkatësisht një grusht i hekurt.

“Hetimi vazhdon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Shtetit.