Një tërmet me magnitudë 5.0 ka goditur qytetin spanjoll të Granadës, në rajonin e Andaluzisë, në orët e para të së shtunës, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke shtyrë autoritetet të shpallin gjendjen e emergjencës.
Lëkundjet, të cilat u regjistruan pak pas orës 01:00, patën epiqendrën në zonën metropolitane të Alhendín, pranë Granadës. Tërmeti u ndie në një pjesë të gjerë të rajonit të Andaluzisë.
Deri më tani nuk ka raportime për persona të lënduar, ndërsa shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë në zonat e prekura. Pamjet e transmetuara nga mediat spanjolle treguan rrënoja në rrugë dhe automjete të dëmtuara.
Për shkak të dëmeve të shkaktuara, autoritetet lokale aktivizuan fazën e emergjencës. Shërbimi i emergjencave 112 mori qindra njoftime për dëme materiale, përfshirë çarje në ndërtesa, si dhe rënie të pjesëve të fasadave dhe kulmeve.
Nënkryetari i qeverisë së Andaluzisë, Antonio Sanz Cabello, u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin hyrjet apo daljet e panevojshme nga ndërtesat. Ai apeloi: “Qëndroni të qetë dhe shmangni hyrjet dhe daljet e panevojshme nga ndërtesat,” duke kërkuar gjithashtu kujdes të shtuar nga zonat e dëmtuara.
