Milot Avdyli shpreh optimizëm para Izraelit: Synojmë tri pikët në “Fadil Vokrri”

Milot Avdyli, futbollist i Përfaqësueses së Kosovës, ka shprehur optimizëm të thellë për ndeshjen e ardhshme kundër Izraelit, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Pas stërvitjes së sotme, ai theksoi se atmosfera në kampin e Dardanëve është tejet pozitive dhe se ekipi është përgatitur si duhet, veçanërisht në aspektin taktik.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Besoj se jemi përgatitur mjaft mirë. Sot kemi stërvitur më shumë taktikisht dhe synojmë të dalim me një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje,” deklaroi Avdyli.

Avdyli theksoi gjithashtu se zhvillimi i ndeshjes në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë shërben si një motiv shtesë për Dardanët. “Duke marrë parasysh se do të luajmë në shtëpinë tonë, në ‘Fadil Vokrri’, do të jemi edhe më të motivuar dhe synojmë marrjen e tri pikëve,” shtoi ai.

Përfaqësuesja e Kosovës do të përballet me Izraelin të shtunën, duke filluar nga ora 15:00. Tre ditë më vonë, Dardanët do të luajnë ndaj Irlandës, të dyja këto ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s.