Koreografia e “Dardanëve” nderon ish-krerët e UÇK-së në stadium

Tifozëria “Dardanët” dhuroi një spektakël të dyfishtë në ndeshjen e mbrëmshme ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, e cila u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”. Përveç atmosferës elektrizuese në tribuna, ata përcollën edhe një mesazh të qartë përmes një koreografie mbresëlënëse.

Në qendër të vëmendjes ishte një baner i madh me mbishkrimin “Victorious” (Fitimtarë), i cili shoqërohej nga fotografitë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Këta figura aktualisht po përballen me gjykimin në Gjykatën Speciale në Hagë.

Baneri qëndroi i shpalosur gjatë gjithë zhvillimit të takimit, duke u përshëndetur me brohoritje të zjarrta dhe duartrokitje të vazhdueshme nga tifozët prezentë, të cilët shprehën mbështetjen e tyre.