Ymeri: Albin Kurti shkaktar i dështimit të Vjosa Osmanit si presidente dhe i zgjedhjeve të reja

Analisti politik, Visar Ymeri, ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për dështimin e zgjedhjes së presidentes së Republikës së Kosovës. I ftuar në emisionin “VV Show”, Ymeri theksoi se Kurti nuk ka qenë i interesuar për ta votuar Vjosa Osmanin për një mandat tjetër si shefe e shtetit.

Ymeri u shpreh se disa prej tyre, të cilët kishin folur publikisht, e kishin ditur që në fillim, pas përfundimit të zgjedhjeve, se kryeministri Kurti nuk ishte i interesuar të vazhdonte me Vjosa Osmanin. Ai pretendoi se dëshironte kandidaturën e saj, ndërsa partitë e tjera nuk e mbështesnin. Megjithatë, sipas Ymerit, Osmani dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e luajtën mirë situatën, duke treguar në fund se ajo mund t’i kishte votat e nevojshme, por Kurti ishte ai që nuk e dëshironte.

Drejtori ekzekutiv i institutit “Musine Kokollari” theksoi se qytetarët e Kosovës duhet të informohen për këtë të vërtetë: Vjosa Osmani nuk është presidente sot sepse Albin Kurti nuk ka dashur ta bëjë atë presidente. Ai shtoi se vendi po shkon drejt një tjetër palë zgjedhjesh të jashtëzakonshme pikërisht për shkak të refuzimit të kryeministrit Kurti.

Në fund, Ymeri përgëzoi partitë opozitare për qëndrimin e treguar në çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke vlerësuar se ato i kishin bërë një shërbim të madh Kosovës, duke mos e lejuar Kurtin të përqendronte të gjitha pushtetet.